Çaste me krijuesit prizrenas;Vlora Rexhaj Morina

0

KAM MË T’DASHTË

Kam me t’dashtë Ty

Trëndafili im i bardhë

Çel në stinën ma t’brishtë

T’shpirtit tem

Kam me t’dashtë

se përtej andrre

Kam andërru sytë e tu

E me shikimin tanë

Kam shndërrit netët e errëta

Të zemrës tem

Në dimrat e acartë t’vetmisë

Ngjyra ylberesh

Kam vu nurin tand

ndriçum prej afshit tonë

Kam me t’dashtë Ty

Arshi i shpirtit tem

N’erna t’moteve

Kam vu përmallimin tonë t’dashnisë

E tamblinë za n’hoje të shpirtit

t’kam lanë

Kam me t’dashtë ,çmendurisht

kam me t’dashtë

Se ti je dielli jem

e unë rrezja jote e përflakët.

Trishtim

Ç’na duhet vallë  ky shpirt?!

Terri dritën ka gllabëruar

Koha na vrau  buzëqeshjen

Agimet na perënduan

Ç’i duhet ëndërrës kujtimi?!

Lejlekët mes flatrash u larguan

Mbeti mes resh përmallimi

Relikti i qiejve t’errësuar

Ç’na ngroh ky diell në gji ?!

Rrugët s’kanë shteg janë harruar

E varkës i mbeti veç hija në valëzën e vetëmuar

Ç’na duhet vallë kjo frymë?!

Frymë e lënduar s’rinon

N’mes nesh mbeti trishtimi

Dhe halli që rënkon!

N’QYTETIN E SHPRESAVE

Në qytetin t’lamë

me buzëqeshje të ambla

Stinëve t’blerta udhëton

Ende hija ime

Në qytetin e kalldrëmeve

Ku këmbëzbathur eca

Shtigjeve të diellit

E kërkova vesën e agut

T’mëngjesit

Mbeti ende mendja ime

Në qytetin e rrezeve t’kaltra

E shpresave t’flakta

Frymonë ende jeta ime!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *