Çaste poetike me :Mimoza ÇOBO

 BURIMI I FSHATIT TIM

S’më pritej sa të vija tek ty burim i vjetër,
ku kam lagur faqet e skuqura prej djersës,
kam thithur ujin tënd me buzën e djegur,
kokën kam vendosur aty ku ndieja rrjedhën.

O zot s’më durohet,dua ta njom buzën,
nëpër gishta të derdhet njomësia e gushës,
shpirti të më bredhë atje ku lulja puth ujin
dhe rrjedha gjarpëron si dikur mes fushës.

Mallin e fëmijërisë t’ia hedh parfum buzës,
që ka po atë aromë kur lagte fustanin ujët,
nëpër rradhët blu që përkëdhelnin gjunjët
dhe zemra dilte vendit fluturimthi mbi gurët.

Ta shijoj burimin si atëherë me fëmijërinë,
të mbledh ca luledele t’ia vendosë zinxhirë,
rreth qafës së gjatë mbështjellë me magjinë,
aty ku përjetësia e burimit çmallet me njerinë.

Shkëputur nga vëllimi poetik “Dashuria është bekim”

/www.qendrapress.com/