Çaste poetike me poeten;-Age Bilani LUKA

LETËR PËR TY…

————————–

Çdo mbrëmje të shkruaj një letër pa adresë,

me bojë zemre e lot të tharë.

Korrier bëhet era, që njeh çdo udhë,

e shpresa i mbyll në zarf

fjalët që tek Ti të vijnë me mall..

Kur cicërojnë zogjtë shtegtarë mbi qiell,

i ndal me sy e u lutem në heshtje,

Nëse i kaloni pranë shtëpsë,

lërini një pendë me emrin tim,

dhe një copë letër,ta shkruaje gjithë mallin dhe të

përcjellë në heshtje dhe ta kuptoje mallin tim.

Valët e detit s’lodhen së përqafuari bregun,

si zemra ime që kërkon përherë përqafimin tënd.

Çdo dallgë ma kthen një kujtim,

çdo shkumë deti më zgjon një ëndërr,

 ku largesia e malli nuk ka më përshkrim.

Netëve, hëna lexon letrat e mia

e yjet ua mësojnë përmendësh fjalët.

Ndoshta një natë do t’i sjellin te ti,

që të dëgjosh me ëndje të gjitha fjalët.

Deri atëherë do të jetoj me mallin,

me korrierët e erës, të zogjve e të detit.

Por letrat e shkruara do ja besoj yjeve edhe hënës ,

sepse ata e mbajnë amanetin.

/QendraPress/