Çaste poetike me poeten ;-Armenida QYQJA

Kronikë e viteve të çmendurisë
——————————————
Mundohem të shkel sa më lehtë,
Supeve të tua të mos i rëndojë
Arroganca, shpërfillja ime,
Pavetëdija zhurmëmadhe e këtij shekulli…
Dhimbjen tënde ndiej o qytet i lashtë
Dhe pyes sa e duruar është dashuria?
Si duron pa shkundur nga kurmi yt
Këtë gur e beton të hedhur pa lidhje?
Rrafsh tua bësh të gjitha!
Mbrapsht t’i kthesh me mijera vite,
Kur njeriu ndërtonte rrugë e shtëpi
Në emër të dashurisë dhe jo të babëzisë!
Nuk ka më rrugë dhe as trotuare
Ka vetem trafik të çmendur
Kulla brinjë më brinjë, pa hapësirë frymore,
Pragje të lara me gjak fëmijësh.
/QendraPress/