Çaste poetike me poeten;-Fatbardha Xhani MYSLIMAJ

KUR PREK THELLË

————————–

Krenaria ime ka zë të ulët

I keni parasysh gjethet nën erë

Preken aq lehtë,

Sa nuk ndjehen fare

Vetëm ajri i hollë lëviz

E i lakon trupin e jeshiltë

Me gishta të padukshëm.

Shumicën e kohës

Nuk e kuptoj fare që është

Aty në ashtin tim

Ku palca e jetës lind të kuqen

Dhe lejon ajrin e kaltër

Të kthejë trupin në dritë

E t’i tregojë çaste të panjohura.

Ndonjëherë,

Mjafton një shkëndijë e vetme

Diku, ku nuk prek askush

Të ndizet një zjarr i madh

Sytë të nxjerrin xixa që djegin

Dhe artikulojnë afërsisht kështu:

Krenaria ime,

Është mënyra e thjeshtë

Si eci mbi tokë me kujdesin

Se mos prek asgjë që merr frymë

Krenaria ime

Është jeta ime me hapa zemre!

/QendraPress/