Çaste poetike me poeten:-Greta Kadare TETA

Psherëtima e sendeve

———————————-

Pavarësisht se ju lutem: reshtni,

sendet në dhomën time pëshpërisin, flasin

pas shpinës sime

si memecët dhe ulërasin.

Ndonjëherë, me inatin tim, edhe i kam goditur,

por më së shumti ua mbyll gojën

duke i prekur.

Të ftohta akull si një i vdekur, çuditërisht,

njësoj si unë, marrin frymë.

Dollapi ka sytë e tim shoqi,

plot pikëllim shohin shtratin.

Unë ende vesh ndonjë këmishë të tij,

padukshëm ma sjell fati.

Komedina në të majtë, me foton përmbi,

feks zemrën e nënës sime.

Çdo të diel i ndez një qiri, mos fiket.

Në të djathtë, im vëlla

më përkëdhel krahun e lodhur,

njësoj si dikur, në lëngim të tij,

unë ia përkëdhelja ballin.

Babai ende me nasihate,

ajri m’i kumbis fjalët e tij veshëve.

Tronditëse pëshpërima e sendeve,

ndonjëherë edhe shpotitëse,

më së shumti kur pasqyra qesh me mua.

Ah, tani jam mësuar,

nuk ju mbaj as inat,

as i godas, më mësuan thinjat.

Së bashku do ndajmë vetminë,

vite e vite pa kthim!

/QendraPress/