Çaste poetike me poeten;-Manushaqe Hoxha LAÇI
Për ty nënë
————————
Kur më linde, me lot i kishe sytë, nënë
dhimbjen ta dinte e ndritshmja hënë
e gëzimin s’e fshehe, ta dinin të tërë!
Prite gjatë me padurim që të vija në jetë
ta prisha gjumin kur mund të flije e qetë
në ditë të lodhshme e të gjata orë e net
Kur hodha hapin e ëmbël fola fjalën e parë
të gjitha ditët e stinët e tua u bënë behar
nuk kishte për ty më të magjishëm nektar
E munde stresin, lodhjen e pagjumësinë
që të ma bëje sa më të qeshur fëmijërinë
të jetoja si princeshë adoleshencën e rininë
Më mësove të udhëtoj në rrugët e jetës
të jem e pamposhtur, mbretëreshë e vetes
të mbjell parajsën dhe në mes të kënetës
Me kalimin e viteve pritjet janë më ndryshe
pret me padurim të kthehem si dallëndyshe
jeta na burgosi e hodhi në rrugë pa shtigje
Një fjalë ta qetëson ankthin brenda teje
një përkëdhelje shpirti donë nënë prej meje
toka e zhuritur pret dhe ujin e një rrëkeje
Dorën ta ndjej në sup, ballë e nëpër flokë
kudo që përplasem në t’paskajshmen botë
në prehrin tënd jam dhe në stuhi e shqotë
Në ditët e trishtimit më vjen pranë si zanë
më mbështjell me përqafim t’ëmbël, nënë
puth lotin e tharë që shpirtin më ka zënë
Është e vështirë të gjenden fjalë për ty
shkronjat lagen nga lotët që digjen në sy
e s’mund ta shuaj mallin e etshëm në gji
22. 11. 2020
/www.QendraPress.com/