Çaste poetike me poeten:-Mimoza Dilaver KURTI

Toka S’është Fundi Por Fillimi

————————————–

O Zot, nëse bie, më ler të prek tokën.

Le të më dhembë paksa rrëzimi.

Të ndjej gurët që numëruan hapat e mi,

sa herë kam rënë e jam ngritur përsëri.

Në prag ku së pari mbështeta kokën,

aty ku damarët e shpirtit më thërrasin,

aty ku kam rrënjët dhe aty ku gjej forcën,

ngrihem pa frikë në lartësinë e malit.

Dhe kur të ngrihem, mos duartrokisni.

Ai që bie vetë, di të ngrihet me dinjitet

dhe kurrë s’ka më frikë nga rrëzimi,

kur e di se toka s’është fundi, por fillimi.

/QendraPress/