Çaste poetike me poeten;-Vjollca ALIAJ

Tetori nuk paguhet
————————————–
Më jep të pi një grusht tetor, kamarier.
Jo kafe. Tetor.
Ma sill me filxhanin e madh, atë prej balte,
me avull erëshiu e fletësh të thërrmuara.
Lëre të vlojë ngadalë, si kujtimet e fjetura.
Dua ta pi me gllënjka të vogla,
të ndjej si zbret në gjoks e verdha e gjetheve,
e kuqja e perëndimit përmbi ishull,
hidhësia e limonave të papjekur,
ëmbëlsia e ditëve të shkurtuara.
Më jep të pi një grusht tetor,
të dehem pak, të harroj si vera iku pa na përshëndetur.
Të dehem aq sa të guxoj të qep lule mbi supin gri të xhaketës,
t’i them dikujt:
— Më ke munguar…
Në fund të filxhanit, të mbetet llumi,
aty, ku vërtitet fati,
rruga e gjatë me gjethe,
libri i hapur,
dashuria sykaltër e pa mbaruar në faqen e fundit.
Më jep të pi një grusht tetor, kamarier.
Jo, mos ma sill faturën.
Tetori nuk paguhet.
Ai falet.
/QendraPess/