Në gramatikë…

—————————–

…ndonjë gjysmë rreshti edhe mund të jem,

por pa shenja pikësimi.

Më shumë presje unë,

për ty nuk e di se mund të jesh edhe antologji!

Qeshën dhe u kuptuan pa folur…

Poezi e pa lindur ajo.

Nga ato të fshehtat.

Duhej kohë ta zbuloje.

Pika vese në gjethe trëndafili sytë saj ndrinin.

Njohje të mirë ndoshta të teknikës.

Pirat i vjetër ai.

Varg i gdhendur në papir kinezë,

kohës i rezistonte.

Njihte mirë metrikën,

figurat, hiperbolat,

mbi të gjitha simbolikën,

ndaj atë qartë e kuptonte.

Njëri tjetrin mendimin i plotësonin…

Koha me ta nuk ishte mike,

Vendi as që bëhej fjalë.

Më duket dikur jemi rritur bashkë pëshpëriti ai.

Në një tjetër botë,mendoi ajo, me siguri.

Dy shpirtrat vagabondë të pushonin

kërkonin një vend paqeje,

të lartësuar ndoshta në artin e gramatikës.

Kodin e fshehtë vetëm ata i dinin…

Në heshtjet e gjata ku pikat viheshin vetë mbi “i “…

/www.QendraPress.com/