Çaste poetike me poeten;Fatbardha Xhani MYSLIMAJ
ART
———————-
Unë ende eci në rrugën e lagur
Të atdheut tim që të deshi së largu
Por ti nuk kishe nga ta dije, Art
Ti sodisje një shishe të përgjysmuar
Si kërciri i femrës që nuk t’u dhurua
Thoje me vete: përse s’më deshe,
Atdhe…?!
Çadrën e kuqe me tela të thyer
Ia lë peng erës tënde, ta flakë tej
Këpucët mbaj në duar nëpër shi
Ty të flas me zërin e kukuvajkës
Se ti ende beson në fatsjellësen
Që vjen papandehur si të jetë,
Ëndërr…
Mos më qorto me fjalë të buta
Mos m’i lag sytë me mëngjeset e tua
Se më duket sikur nuk i meriton
Të gjithë ato vargje që fshehe thjeshtë
Duke bërë se shkruan për të tjerë
Duke tjerrur mëndafshin tënd,
Të bardhë…
Ku ma shkrove vargun e fundit,
Në shallin e reve që më nise ajrit,
Në kupën e qiellit të vështrimeve
Apo në tragën e rrugës së lumit
Që rrjedh damarëve të mi djegshëm
Prej zjarrit që ndez krejt pa kuptim,
Heshtja…
Ty të lëmon kjo mbrëmje flokët
Me duar ere dhe rrëshirë pishe gjelbëroshe
Të njom vesa sytë me zgjime ëndërr
Edhe nëse ti harron se sa me fat jam
Që ndjej një mall të pacaktuar
E dua të më kthesh edhe mua, në,
Art….
/www.QendraPress.com/