Çaste poetike me poeten;Lola MEÇAJ

Le të pimë kupën e qiellit

————————————-

Gjysma e botës është një hënë mbërthyer pas murit.

Qelqi i natës kthehet në pasqyrë,

shtrirë mbi qerpik të kripur,

përkulur mbi timin gjumë.

Ti mblidhmi kokrrat e shiut mjegullës,

kupën e kuqe të qiellit të pi,

flokët t’i pleksim me gishtërinj hëne,

mendje e zemër dehur,

t’i bëjmë bashkë tym e zjarr,

mëkat ta quajmë natën e ndarë në mes,

bredhur largësive të ftohta.

Lermi dhe pak ëndrrat hutuar,

të hyj në tëndin zë,

të zbardh ditën e artë,

shëtitur jargavanëve.

Gjithçka e tejdukshme merr trajtën e syve të kaltër,

sy që bëhen bebëza të mi.

S’di sa thellë gërmojnë brenda vështrimit,

frymë mjegullnajash të kripura,

tokë me ujëra të kthjellëta

ku pi ujë qielli, atë që i dha,

vesë e hollë më qëndron mbi flokë shkëlqim,

dritë kur s’ka vaj për kandil,

vendos ty si yll që shndrit

mbi zemër vetmi të paqtë.

Ta lëmë të tashmen të na gërvish shpirt e lëkurë,

ta lëmë dhe erën të iki e lirë,

të shtrihet ngado.

Lajmëtari i stuhisë me krahët përkulur sillet mbi det,

më bën një shenjë ndryshe,

morsin i deshifroj;

Je më e fortë se dje.

Po afron stuhi e çmendur e dashurisë.

Lola.Meçaj

/www.QendraPress.com/