Çaste poetike me poeten;Mirela PAPUÇIU

PUPLA NË AJËR

(ose histori me alzheimer)

————————————-

Zërat nga oborri i shkollës përballë

të pakuptimtë fluturojnë në qiellin tënd

Pëllumba në kafaz sytë e tu të hirtë

vid-vid vid-vid vid-vid vid-vid

Thërrime kujtimesh mbi qepalla

të lodhin edhe më

Ishe e preferuara e babait,

me fytyrën e bukur e njëfare brishtësie

të parehatshme,

një zanë flokëverdhë që lëpin

plagën e mahisur të nënës

Tënden s’kish kush ta shëronte

(Fundja, ti nuk kishe humbur birin)

Zërat nga oborri i shkollës përballë

nesër do të të mbërthejnë në shpinë

Ti nuk e kujton më, por krahët e tu

që i ngrinin fëmijët hopa me gjestet

e vrullshme e të lehta të gëzimit

do rëndohen nga pesha e asaj

që vazhdon të fshihet copa-copa

Me gishtat e plasaritur të së shkuarës

rrekesh përhumbshëm të ngjitësh

këtë pasqyrë të thyer keqazi

Zërat në oborrin e shkollës gumëzhijnë

Unë qëndroj me kokën ngritur

drejt katit të shtatë të dhembje-harresës

ku ti zgjatesh të kapësh fragmente të tashmeje

që s’di kush i shpërndan si pupla në ajër

/www.QendraPress.com/