Çaste poetike me poeten:Neviana Shehi

HËNË MBI QYTETIN E DYZET SHENJTORËVE (Sarandës)

—————————————————————————–

Gjithmonë më është dukur

se nimfat e detit

e kanë origjinën prej teje.

Përherë kam besuar

se në ADN-në time

ka diçka nga ty

nga librat e kaltër

nga sytë enigmë të peshqve

por edhe nga çdo dritare shtëpie

që më afron dashuri.

Qytet me gjoks malesh

që sytë lan në det

dhe kurrë nuk dehet

prej bukurive magjike.

E kam parë trupin tënd të drithërohet

nga një e qeshur vajze

ndoshta edhe ajo mund të ketë qenë

mbesa apo bija e një nimfe

që ka dalë të pushojë

rastësisht në breg.

Po drithërohem

nga flladi i mbrëmjes

dhe ndjej të rrahurat e zemrës sate

sa herë që zbres shkallëve

dhe përqafohem me valët.

Oh, dua të të fus në bebëzën e syrit

e të të ruaj kujtim deri në amshim.

Kujdes syrin

gjithnjë më thotë një zë

që më vjen nga porti i vjetër

kujdes se ky është qytet shenjtorësh

dhe i dyzet magjive

që lahen çdo mbrëmje në det.

Kur për herë të parë u putha këtu

me një bukovile

mbeta e dashuruar për jetë.

Dhe sa herë që shikoj

pafundësinë e qiellit të natës

një nimfë më pëshpërit

tani drita e hënës do të derdhet

mbi qytetin e dyzet shenjtorëve

që bëjnë magji dashurie.