Çaste poetike me poeten:Rozafa SHPUZA
Baladë
(moshatarëve të mi)
—————————-
Ata presin përhanshëm bri limanesh të njelmët
dekorua prej direkësh simetrikë
në qasje t’nji shkalle që s’dihet për kah naltohet.
Presin
e rreken me deshifrue kodet e atij farit
që kurrë s’e panë, veç e imagjinuen
tue hamendësue shkujdesun ndër rreshta ditarësh
a iniciale sekrete gdhendun mbi banka shkollash.
Presin
e frymojnë skajshëm si andrrimtarë kryeneçë
tue u lumnue prore prej shiut që u kujton
dashnitë e pamujtuna.
Presin
teksa zhumhuri i zbaticave ua përpinë
kalvarin e rrugëtimit prej kah janë nisë,
aromën e shpisë së vjetër
që mbahet në kambë prej rrjeta marimangash,
fotografitë bardhezi t’stivueme trishtaz
ndër kuti këpucësh që i veshën për parada maji,
hijet e qipariseve bri muranash me lule të vyshkuna…
Ata presin përhanshëm bri limanesh të njelmët
e këndojnë nën za nji melodi shpirti.
/ëëë.QendraPress.com/