Çaste poetike me poeten;Rudina Muharremi Beja
![](https://qendrapress.com/wp-content/uploads/2021/08/18056875_1690169330999446_7236226096468272567_n.jpg)
Vizatim me akuarel
——————————–
Ja gjurmët e mia nën qiellin që stis retë
e dritëhijeve luan me shkimëza rrezesh
Ja shpirti im shndërruar në frymë
tek flet me zhargonë stërkalash…
Ja ndjenjat përhumbur nëpër atë qerthull
që ngjyrat ka zverdhur stinësh,
Ja stigmat fshehur fasadave të rreme
e dhimbjet përtej kornizash…
Ja troku drithërues përhumbur hapave
enigmave që vetëm thellohen,
Ja flatrat ngarkuar me dëshira të pafajshme
shkëmbijve të egër tek thërmohen…
Ja ti, tek vjen si një fllad pranvere
më përkëdhel e lule ndjej të çelin
buisin ngjyra e njëmijë vezullime
mbi fletën ku vizatoj akuarelin…
8/08/2021
& & &
Çast
—————————
Vështrimi kthehet në çast,
zbathur, para një fotografie,
zhgënjimit në vite,
tek-tuk, ndonjë̈ fitore e trishtë
e koha më shkel me zinxhirë̈ melankolie,
rrëmujës së mendimeve,
qerpikut nën hije…
& & &
Mbushur përplot me veten.
_____________________________
Pleksej, shpleksej tablosë̈ së gjallë
imazhi, që si gjethet dyndej
kahëve nga frynin erërat,
e vetvetja, kurrë̈ s’mund të ishte…
Ndërsa bindesha,
se s’kishte varfëri më të madhe
se boshi që fshihte ai imazh sqimë endur,
i atij gjoksi n’gufim,
mbushur përplot me veten.