JAVË E ZYMTË

————————–

E hëna…

vjen si një ditë ku një trëndafil pres.

E të më afrohet me shpresën e madhe,

ndaj syndritur një pishtar në dorë ndez,

Të të ndriçoj rrugën…ti do të vish kësaj radhe.

E marta…

kaloi shpejt ashtu si pakuptuar,

duke parë atje në fund të rrugës, poshtë.

Une rri e pres ashtu stoike, e paduruar,

te më afrohesh e të më flasësh me zë të ngrohtë.

E mërkura…

mes pritjes… por ti je larg.

Kjo zemër erëmon mes vetmisë pa fund,

misterin e dashurisë të ma sjellësh pranë.

Të të shoh mes hapësirave dorën tek ma tund.

E enjtja…

më gjen të çoroditur dhe eci kuturru.

Dhe mendueshëm përpiqem të hedh ca vargje,

e rri me shpresën se do të më shfaqesh befas diku.

Të më afrohesh e të më përqafosh tek këto pragje.

E premtja…

ah, me gjeti shumë të trishtuar,

teksa shkërmoq tokën me duar mes pritjeve.

Një ankth më pushton: “Mos vallë më ke harruar?”

Dhe trembem, frikësohem si një fëmijë prej ikjeve.

E shtuna…

vjen me shpresën që fiket si meteor .

Sypërdhe shoh se si u vyshkën lulet.

E kuptoj, dashuria s’vjen me pahir, me zor.

Ndjej se diçka nga shpirti më shkulet.

E diela…

me sjell dhimbje, e ndjej se më ka harruar.

Përpiqem që lotët që rrjedhin furishëm t’i fshij.

Kuptoj se u shua gjithçka që kemi përjetuar,

dhe i hedh pas krahëve me dhimbje, por kokëlartë rri.

Java e re…

vjen me ëndrra te reja, e mirëpres.

Një fjongo fillon më ndrit flokun që e zbukuron.

Ndjehem e vetme, por e lumtur këtë mëngjes.

Fërgëllimat për një ndjenjë të re më ç’lirojnë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *