Çaste poetike me poetin;-Fatmir Z. ÇITAKU

Kur Heshtja Mbulon të Vërtetën

—————————————–

Një mijë e një fjalë mund të lindin,

e po aq mund të zvarriten nëpër errësirë,

për ta ngritur ose për ta gjunjëzuar të vërtetën

në këtë botë

që duket sikur ecën përpara,

por ku vetë njeriu

po ia rrënon themelet së ardhmes.

Kohë pa kohë

rëndojnë mbi vendin tim,

si mjegulla të zeza

që mbijnë nga lojërat e skenarët,

të thurura nga duart e tradhtisë,

nga jashtë e nga brenda,

aty ku buzëqeshja shitet si patriotizëm

e fjala si mall tregu.

E vendi im mbetet nën mjerimin e diktatit,

ndërsa shteti mbahet peng

nga urdhrat e pushtuesve të rinj,

zhvatës me kollare,

që fshehin lakminë

pas flamurit dhe emrave të luftës.

Një mijë e një fjalë u shuan,

një mijë e një vepra u varrosën në heshtje,

nga ata që nuk e duan shtetin ligjor,

sepse drejtësia

ua prish fronin e ngritur mbi mashtrimin.

Një det do duhej për lotët e këtij populli,

e një mal për të shkruar të vërtetën,

sikur të lejohej të flitej lirshëm

pa u mbyllur fjala pas grilave të frikës.

Edhe sot e vërteta ecën e plagosur,

e cunguar,

e lidhur me pranga heshtjeje,

ndërsa ky vend mbahet nën hijen

e milionerëve të pangopur,

që lidhen edhe me armikun

veç të mos lindë shteti ligjor,

sepse atë ditë

do të përballeshin me drejtësinë

që sot përpiqen ta mbysin.

E populli pret…

mes lodhjes, mashtrimit e varfërisë,

pret një dritë

që ende nuk po e lënë të lindë.

/QendraPress/