Çaste poetike me poetin;-Mevlan LUSHI

NË STAMBOLL KUR SHKOVA
Në Stamboll kur shkova
Me shokë për herë të parë
Se gjyshi atje kish mbetur
Nga mendja s’më qe ndarë.
Ngado që shkuam e pamë
Në kryeqytet të dovletit
Në mendjen time bluaja
Kohën e shkuar të kurbetit.
Kamarierët në lokale
Arnaut na thirrnin
Na ftonin për t’zënë vend
Shpejt kafenë na sillnin
Në rrugët plot histori
Të Stambollit të vjetër
Ndoshta gjyshi kish ecur
Larg në një kohë tjetër.
Në breg të Marmarasë
Tek rrija e vështroja
Zhytur në mendime
Gjyshin përftyroja.
Në kurbet kish qëndruar
Shumë vite pa ardhë
N’Stamboll kish ndrru jetë
Fëmijtë e tij pa i parë.
Në këtë qytet magjepës
Me njerëz nga çdo anë
Shumë njerëz si gjyshi im
Aty jetën kishin lënë.
/QendraPress/