Çaste poetike me poetin;-Murtez ASLLANI

PËR ASGJË

Për asgjë

t’i zgurdullon sytë,

të shikon shtrembër

si ndonjë bishë,

ç’u bë kështu

me njerëzit tanë

që njëri-tjetrin

mish duan ta hanë,

s’ju kujtohen masakrat

që në Kosovë i panë?!

Ti i flet ngadalë

ai qartet krejt

pa menduar

se çka po flet,

lëshoja rrugën,

se shpejt të zë sherri

për pak fjalë

për një fije peri.

Mos e shiko,

as mos e dëgjo

rrugës tënde shko?

Kur ishte luftë

ne e donim jetën,

njëri-tjetrin

e nderonim,

të bashkuar

të gjithë qëndronim.

E sot te ne

plot faqezinj

dhe maskarenj

në vendin tim,

ku dikur kishte

besë e nder

dhe krenari.

Nuk sheh përtej hundës

vetja i duket mbret

dhe kot i flet

të sjell në siklet!

/QendraPress/