Çaste poetike me poetin;-Sami MULAJ

VALË VALBONE
(me motive popullore)
——————————-
Nuse bjeshke
të qofsha falë,
e ti puthsha ato valë,
si gjijtë cucla t’çikave,
hucla në kcim Tropoje
s’dinë me u ndalë..
Mbi krye tand
kapuçi i bardhë,
nën krysa t’buta
tirqit e mi galë,
mbi shpatulla t’mia
bisteki i gatë,
n’pshtjellak tandin
unë e ti ngjitë
gati tuj u kallë,
as dekë as gjallë.
Valët e tua
pa u nda,
herë të buta,
herë me dallgë,
brigjeve t’jetës
dashni falë.
Turr e vrap
le t’bien në Dri,
unë deksha n’sytë e tu,
e ti deksh n’sytë e mi.
/QendraPress/