Çaste poetike me poetin;-Sami MULAJ

MË GJENI ATDHEUN ?!
——————————–
E kërkova në shpatin e vjetave,
as rrugë gjurma nuk është ma,…
E shkunda një çetinak si dikur të gjej
aty ndonjë çerdhe zogu gushkuq,
gjeta aty vetëm disa grepa viçi të ndryshkur
e një bisht furke të thyer,
plakat as çikat e reja
nuk shkelin ma aty,
nuk tjerrin ma për pajë.
E kërkova në oborrin e shkollës ku nisa klasën e parë,…
ferra e hithra ishte mbush,
shkela mbi një zile,
e gërryer ishte si një brinjë dinosauri e lashtë.
E kërkova tek pusi
ku laheshim dikur në lumë,
as nuk kishte ujë,
as nuk kishte zallë,
një digë përmbi si kulshedra
pusin e rinisë time e kishte përpi,
e kishte tha.
E kërkova në bregun e detit,
aty ku ujët e kripur piva pa dashur herën e parë…
Më thanë mos u afro…
është hotel restorant i një pushtetari,
aty nuk është plazh ma.
E lyp, e lyp…
mbeta lypsarë.
Më falni pak Atdhe,
ju lutem!
Në se diku e keni parë.
/QendraPress/