Çaste poetike me poetin;- Ylli POLLOGATI

DHËMBËT I KREHA MIRË
———————————-
Dhëmbët i kreha mirë,
si të mbillja vlera në një pyll të egër
dhe flokëve u dhashë lirinë…
I shtriva me mashë,
mbi to zjarr pritjesh vura,
ajrin e tymosa me durim të djeguri.
I drejtova me urdhër si i mësuar,
por fijet njihnin vetëm kryengritje.
Përreth vetes kërkoja si vetja,
një trup nën uniformën
e një kohe
që të lëmuar na kërkonte,
si gurët e një lumi, pa cep e pa britma.
Po kjo koh tani më vjen ndryshe
e veshur me një këmish metali,
ku mbi shpinë më shtrëngon e
më hyn nën lëkurë si një fjalë e huaj,
që me një sharje më ngatërrohet.
Pasqyrës shikohem, në copëza shpërndar,
si re e pazënë,
një nyje që nuk zgjidhet si gabim
drejtshkrimor në librin e syve…
Dhe fotografia,
kjo dëshmitare e ngrirë tani më lë jashtë kornizës,
si njollë që prish qetësinë e verbër.
“i tepërt”, më thonë.
Si zë që prish korin e heshtur,
që pas ndjekin të parin
e marrosur,
si të isha një pikë lëngu,
që tejmbush gotën e kënaqësive të tyre.
Po një gjë e di mirë
Zërin s’ma kreh më askush tani.
Ai rritet i pakrehur,
me fjalë që lakohet e shtrihet
si tel i tendosur që s’këputet.
E di,
që kështu nuk të duan, dhe mirë nuk do flasin.
Po aq më bëhet.
Dua të jem siç rritet bari në çarje betoni,
pa leje, pa zhurmë i lirë si vetvetja,
paçka,
se me pak kacidhe ditën kaloj.
/QendraPress/