Çaste poetike me poetin ;Zylfo GOXHARI 

VENDLINDJA IME! ( Vazhdim)

———————————————

U ula këmbë kryq nën mënin shekullor,

Shijova një kafe një teke raki,

Dhe një gotë me ujë të bekuar,

Flokët e bardhë mi shpurpuriste era,

Vështroja çdo prag çdo pemë e shtëpi,

Mirëserdhe birë,në çdo derë,

Më prisnin Anetë shami zeza,

Të holla të gjata trupi si selvi,

Që nga Pushaj deri në Çelaj,

Akoma i ndjej perkëdheljet e tyre,

Pse jo dhe të gurëve e të ferrave,

Sa mbyllej një plagë hapej një tjetër,

Kështu ndodh kur lind e rritesh,

Në një vend e njerëz të sertë,

Para kohe bëhesh burrë,kur ikën,

Vendi dhe t’i e ndjenë peshën e mallit,

Ndaj vendlindja,krah hapur të pret!

E kalova atë rrugë deri tek kroi i Pushajt,

Poshtë në bregore vështrova varret,

Kohë e vështirë,jo vetëm njerëzit,

Por edhe varret u bënë perre – perre,

S’durova dot,vetiu këmbët morën,

Jo xhaden,po rrugën e vjetër,

Poshtë buzat lakuriq e të frikëshme,

Lartë pllakat e serta të malit,

Lagjen Lamaj e lash më të posht,

Gjersa dola tek bregu i arrëve,

Përtypja ndonjë kokërr lathi,

Një dorë thanë brum i kalova dy e nga tri,

Pa i përtypur me gjithë bërthama,

Këmbët iknin tutje kuturu,

Mëndja fluturonte në vitet e vegjëlisë,

Sa shumë kujtime përjetonte shpirti dhe zemra!

Qafë më qafë,qafa e Kiçokut,qafa e Arrzës,

Nuk e di pse Arrëzën e bënë dy,

Arrëza e Madhe dhe Arrëza e Vogël,

Të dyja kanë shkruar të njëjtën histori,

Dhe ajo është trup i të njëjtës vendlindje,

Sa bukur gjysëm rrethore ngritur mbi kodër,

Mbi urën e Fierit që shkroi historinë,

Aty ku gjalmëzezat arrëziote,

E kthyen çdo pëllëmbë në llogore,

Dhe netët i mbushën me vetëtimë,

Gjeneralët s’dinim ku të fshihnin kokën,

Jo më të drejtonin ushtrinë,

Ngritën flamurin e bardhë,sa turp,

Kur panë Anetë që binin si shqipe,

Nëpër ato rrëpira e kodra,ulën kokën,

Kjo tokë e kuqe si do këmishë zinjtë,

E provoj dje,t’a mësoj dhe sot Evropa!

Qafa e Kiçokut,aty Trebeshina ka një këmbë,

Teqeja i buzëqesh,Trebeshina prapë hije rëndë,

Mbi një lëndinë të bukur ndezëm zjarret,

Tek përplasnim shishet me njëri tjetrin,

Sa më kish marrë malli për një shpretkë,

Le të ishte qëngji a keci,

T’a haja ashtu të ngrohtë,

Me pak kripë e pak rigon,sa më shijojë,

Le të lyhesha tërë gjak buzë dhe mjekërr,

Dhe gjaku i pritur me pak gjalp i skuqur në tigan,

Mu mbush kraharori,këndonte zemra,

Kur ktheja gllënjkat nga shtëmba me dhallë,

Tek rrotullonim kecat e qëngjat në hell,

Gëzuar me pije vëndi raki stafi rrushi,

Një gotë rehani thane na bënte esëll,

Dhe dollinë e nisnim nga e para,

Në atë sofër natyre si të parët tanë!

( Pjesë nga vendlindja ime)