Çaste poetike me poetin;Enver SAHITI

Aty Ku Rrinë Virtytet
———————————–
Mos e kërko pasurinë në arka floriri,
as lumturinë në pallate të larta;
kërkoje aty ku zemra mbetet e pastër,
ku fjala dhe vepra ecin bashkë.
Aty ku nderi nuk shitet për interes,
e besa ruhet si drita e syrit,
aty burrëria nuk matet me forcë,
por me drejtësi e fisnikëri.
Aty ku respekti mbjell mirëkuptim,
e kultura zbukuron çdo kuvend, njerëzit bëhen urë për njëri-tjetrin,
jo mure që ndajnë zemrat mes vete.
Aty ku sinqeriteti flet pa maskë,
e bujaria hap derën e shpirtit,
çdo vuajtje shndërrohet në mësim,
dhe çdo fitore merr kuptim.
Prandaj ruaji këto virtyte të arta,
si amanet për ditët që vijnë;
sepse aty ku jeton njerëzillëku,
jeton edhe shpresa për një botë më të mirë.
/QendraPress/