Çaste poetike me poetin;Fadil HALIMI
Plumba dhe shi bie vogëlushi im
(Për mos me harrue)
—————————-
Shpejt je rritur
vogëlushi im
e s’mundem me të mbulue
me trup
nga plumbat
dhe shiu që bie sixhim
Ta kapërcejmë edhe këtë mal
e pastaj flasim
për shpinë
për shkollën
për çantën me lodra
për librat e djegur
dhe për gjithçka
që ka mbetur në flakë pas shpine
Në luftë mungon edhe buka
edhe ilaçet
por Ti mos u mërzit
as nga vuajtja ime
është plagë e moçme.
Në luftë
veç kokën ruaje vogëlushi im
nga plumbat që bien si shi
Sepse edhe ky shi,
edhe plumbat e armikut
e kanë fundin e vet
Thonë në luftë
kur fëmijët vriten
liria është afër
Koliq, prill 1999
(Ripostim) /www.QendraPress.com/