Çaste poetike me poetin;Mark Simoni
NDREQËSI I PIANOS
———————————–
Ka kohë që pianoja e vjetër është prishur.
Vajza që i binte uli kapakun,
dhe e trishtuar iku duke qarë.
Telat janë ndryshkur ngadalë, si kavot në mol.
U shtrembëruan çekiçët e butë që u binin telave,
Ndërsa tastat u bënë të shurdhta, si gjethet e rëna në pellgje.
E thërrita ndreqësin e pianos. Mbërriti. Qe plakur shumë.
Dhe kur po ngjitej dalë ngadalë,
Mu duk se, sa herë që shputat e këmbëve të tij preknin shkallët,
Lëshonin ca tinguj sikur po ecte mbi tastierë.
Mjeshtri hyri skutave të errëta të pianos, në zgavrrat e saj.
Atje, ku dikur oshtinin qindra tinguj,
dhe ndenji gjatë.
Kur doli, qe cfilitur e rrënuar krejt,
Dhe me sytë e zmadhuar tej mase, (si një i dalë mendsh).
Më tha se,
pjanoja nuk bëhej më, mbasi ajo qe lodhur nga dhimbjet e mëdha të muzikës,
Dhe ishte çmendur krejt.
Ndaj duhej ta hiqja nga shtëpia një çast e më parë,
Sa nuk qe vonë!
Pastaj iku.
***
Të nesërmen,
Në rrugën poshtë dritares sime,
Kaloi ngadalë
Kortezhi i heshtur
Me trupin e ndreqësit të pianos!