Çaste poetike me poetin;Sabit Rrustemi

FJALËT E MBETURA NETËVE

——————————————————–

Ikën akrepët si buzët në çast u tremben

ia kthyen shpinën ditës që erdhi e shkoi pa ne

natës që vjen prej neonëve larg nuk shoh

mes rreshtash më fshihen fjalët e s’i gjej

ëndrrat që i rrëfenim e tash ndizen zjarreve.

Mos më thuaj gjë shpjegime s’dua

lermë të qetë t’i rikthehem vetmisë sime

t’i marrë e t’i shijoj ato që më munguan

kësaj jete që zbehet pa ty njëjtë si unë

ngjashëm me atë lis të zhveshur maje kodre

që e memorova thellë bebëzave që përmallen .

Akrepët ikin kthehen e puqen ditën natën

orë pas ore orareve njëzetekatër orëshe

përmes ritmit të tik -takeve vallëzojnë

shkëmbejnë dhe puthjet njëminutëshe

derisa ne ditë pas dite vetëm largohemi

largohemi sikur t’mos ishim as njiheshim

e pas na vijnë fjalët e mbetura netëve

jetimet pa adresë që s’i ngrohë çatia dora.

Dashuria si një xixëllonjë vere errësirën pret

për t’i dritësuar herë pas here kujtesat tona.

________________

( Nga dorëshkrimi i finalizuar, PËR SHPIRTIN TËND )