Çaste poetike me ;ZAIDE NOKA, Fituese e Çmimit letrar Agim Spahiu (2021)

0

Fituese e Çmimit letrar Agim Spahiu (2021),

Organizim i Këshillit të Qarkut Kukës

Klubit letrar Anton Pashku Kukës

HANA S’ASHT VETËM E POETËVE

————————————————-

Hanë e dashtun,

Të gjitha fjalët m’i kanë zanë poetët,

Ç’të them ma tepër për ty?

Poetët luajnë lirshëm me fjalët e tyne

E ti prap fort e hijshme.

Elegancë prej drite e harkuar

Gjysmëpamje trishtimi

Plotëni verbuese

Lozonjare

Tekanjoze

Ledhatuese

Dremitëse

Me dritë edhe përtej dritës.

Herë shfaqesh

Herë zhdukesh

E ne t’andrrojmë

Edhe kur mshelesh në zemrën e qiellit.

Reve u ve kunorë drite

U shuan zemërimin për hirshmërinë tënde.

Sy dhe zemër të njerëzimit

I ndrin, i dridhëron:

Ndoshta në lindjen e dashnisë apo humbjen e saj,

Në harlisjen e trupit vajzënor

Në hovin rinor

Në miqësinë e përjetshme.

Vetëm me ty

Hanë e dashtun!

Hanë e dashtun,

Të gjitha fjalët m’i kanë zanë poetët,

Por ti je me plot hapësinë.

Shikimet tona në dritën tande

Në andrrimin tonë

Janë vetëm fjalë t’ambla për ty.

Hanë, jo vetëm e poetëve:

Prej teje jetuan fjalët

E krejt rruzullimit…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *