Çaste poetike ne Ditën botërore të poezisë me poetin;Sabit RRUSTEMI

 NË DITËN BOTËRORE TË POEZISË, UA RISJELL ….

( Të shkruara viteve të ndryshme po, në datën e njëjtë )

SYTË NUK DO TË GËNJEJNË

Një ditë

kur të shporret kjo mjegull

kur nuk do zgjatet më

imja vetull

dhe udha

papritur do të na takojë

athua ç’kemi për të pëshpëritur

Do ecim sikur s’ka ndodhur gjë

tek takon rëndom një të panjohur

apo sakaq ndjenjat do të shpërthejnë

Dhe sytë,

oooh

… nuk do gënjejnë

(21 mars 2010)

VETMINË TIME FLAKE TEJ PRAGUT

Me një të prekur hape portën

vetminë time flake tej pragut

Sipërfaqes sate të virgjër

përmes gjuhës lehtas preka

atë kod të fshehur brenda vargut

Një botë e etur e paprekur

palcave tona të fshehura

u shpërfaq

Çasteve të pashijuara u humbëm sakaq

se

shumë gjatë na kish mbërthyer ëndrra

e etja

E dashur

nën vetullat e tua përjetshëm mbeta

(21 mars 2015)

POEZISË

Ti ishe dhe mbete ajo vajza e virgjër

që gjithnjë jam duke e gjakuar

Dhe tashmë pas një gjysmë shekulli

udhë që kam bērë

shoh se sa pak t’u kam afruar

…….

(21 mars 2016)

NJË ZEMËR E ËMBËL SI JOTJA

Natën e shprazi n’gotë

Si atë verë të kuqe

E pij përngadalë

Hërpamë për hërpamë

Deri në mëngjes

Natën

Një ëndërr për ty

E mbylli n’sy

Deri në hapin tend

Në trokitjen që pres

Sall një zemër si jotja

Ma mjalton jetën

(21 mars 2018)

SHPIRTIT QË MOSHA NUK E PLAKË

(Variant)

Zjarrit të kësaj dashurie

dua të përzjarrem e të shkrihem

nën ritmet e një valsi të ri

për pikë

Hapi krahët të lëshohem qetas

nëpër atë fushë të ndezur ndjenjash

të prehem e të çmallem

sa s’ka

Trokitja ime

një melodi e ëmbël mëngjesi

poreve të tua rrahë

pa pushim

Mos ke frigë

nga këta vrushkuj zjarri

as nga kjo zemër që s’kursehet

Ndizem e s’shuhem dëshirash

shpirtit që mosha nuk e plakë

as me biliona e biliona jetërash

(21 mars 2022)

/www.QendraPress.com/