Çaste poetike përkushtuese me poeten; Rudina Muharremi Beja
VENDLINDJE
———————-
Dheu im,
Harliset n’ festë e tërë njerëzia,
skuqen ekranet
flamuj shpalosen anekënd
por Ti, s’ buzëqesh.
Më thuaj toka ime e mjaltë,
ç’të dhemb?
Të dhembin kufijtë mbi pergamena?
Të dhembin bijtë që t’ mbajnë me rrena?
Të dhembin fjalët e pathëna?
Virtytet që kalben brenda?
Ç’ të dhemb Atdhe,
apo shqiponja me dy krena?
Oh Zoti im,
S’ Të dhimbset kjo begati e hajthme
me kurmin shtrirë nën këmbë malesh
njomur përrenjsh e lumenjsh,
përkundur shekujsh në djep hallesh?
Mos vallë ka kund më t’ bukura perëndime
me jehona që vijnë përmes një fëshfërime?
A ka mëngjese që lindin si në tokën time?
Apo ndonjë det që flet me gjuhë mërmërime
si të tutë, o Ferri, Parajsa ime…
Në kraharorin tënd ballin mbështes,
aty ku Ti fsheh kaq shumë halle
sekrete, tmerre, marrëzi,
m’rreshk loti Yt,
e botës i bie qark t’kërkoj më mirë…
Po në ç’krahë mund të kem të ëmblin gjumë,
përtej murit të pafund të mjegullës,
Në ç’tjetër vend Dheu im përveç se tek Ti ?