Chollet: Duam të vazhdojmë ta mbrojmë Kosovën, zgjedhjet të shtyhen  

                              Këshilltari i lartë i Departamentit të Shtetit Derek Chollet, fluturon javën tjetër për një turne në Ballkanin Perëndimor, me ndalesa në Kosovë, Serbi, Maqedoni e Veriut, Bosnje dhe Mal të Zi, ndër të tjera.Në prag të vizitës, në një intervistë për Zërin e Amerikës, Chollet thotë se zgjedhjet lokale në komunat në veri të Kosovës duhet të shtyhen për shkak të situatës së sigurisë atje.Zyrtari i lartë amerikan po ashtu thekson se ndërsa normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi ka në themel njohjen reciproke, Uashingtoni, beson se bisedimet e tanishme janë një hap drejt kësaj, që Kosova të vazhdojë rrugën e integrimit drejt Evropës. Chollet për nga funksioni është në nivelin e Zv./Sekretarit të Shtetit dhe kryen misione të posaçme diplomatike të ngarkuara nga Sekretari Blinken.

Zoti Chollet, këtë vit procesi i normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është intensifikuar dhe presioni ndaj të dyja vendeve është rritur. Në të njëjtën kohë është vënë re edhe një përshkallëzim i tensionet mes dy palëve. Në më pak se dy javë, Kosova ka planifikuar zgjedhje të posaçme në pjesën veriore të vendit, që janë vënë në pikëpyetje për shkak të shqetësimeve të sigurisë. A duhet të mbahen këto zgjedhje? Dhe nëse ato shtyhen, çfarë mesazhi përçon një gjë e tillë?

Derek Chollet: Ne e kemi shprehur qartë se mendojmë se nuk është koha e duhur për zgjedhje duke pasur parasysh brishtësinë e situatës në këto momente. Vetëm 24 orët e fundit kemi parë veprime të dhunshme, është një kohë shumë e tensionuar dhe duam të sigurohemi që ekzistojnë kushtet e duhura që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme. Kosova është një demokraci shumëetnike, si Shtetet e Bashkuara. Ne jemi krenarë për punën që Shtetet e Bashkuara kanë bërë gjatë 20 viteve të fundit për të ndihmuar në vendosjen e demokracisë në Kosovë. Dhe ne duam të vazhdojmë të punojmë për ta mbështetur dhe mbrojtur atë. Prandaj, ne sugjerojmë me respekt, që këto zgjedhje të shtyhen, derisa të vijë koha e duhur kur mund të mbahen, pa nxitur më shumë paqëndrueshmëri dhe dhunë.

A keni marrë ndonjë përgjigje prej Prishtinës në këtë drejtim?

Derek Chollet: Ne kemi biseduar vazhdimisht për këtë me kolegët tanë në Prishtinë. Ambasadori ynë atje Jeff Hovenier ka qenë shumë i angazhuar në këtë drejtim dhe unë do të shkoj atje javën e ardhshme Kjo do të jetë një nga temat kryesore për të cilat do të flas me presidenten dhe kryeministrin, ndërsa punojmë së bashku për të gjetur një emërues të përbashkët.

Propozimi kryesor që po diskutohet mes Beogradit dhe Prishtinës është i ashtuquajturi plan franko-gjerman. Megjithëse nuk janë bërë të njohura gjerësisht detajet, çka në vetvete është diçka misterioze, ai nuk parashikon njohje të ndërsjellë. Të dyja palët kanë kryer bisedime për mbi 10 vjet, duke u marrë me çështje dytësore dhe jo me temën kryesore: njohjen. Çfarë ju bën të mendoni se gjërat këtë radhë do të jenë më mirë dhe do të ketë më shumë sukses?

https://reporteri.net/reklamap/www/delivery/afr.php?zoneid=18&cb=INSERT_RANDOM_NUMBER_HERE Derek Chollet: Ne nuk e shohim aspak kështu. Kosova është një mike shumë e mirë e Shteteve të Bashkuara, një partnere e ngushtë. Ne kemi një marrëdhënie të rëndësishme edhe me Serbinë. Ne po përpiqemi t’i zgjidhim këto çështje hap pas hapi dhe të bëjmë gjithçka që mundemi për të qenë një partner i mirë për Kosovën dhe Serbinë, ndërsa ato punojnë në procesin e udhëhequr nga Bashkimi Evropian, të cilin ne e mbështesim plotësisht, për të arritur rezultatin më të mirë, që ne mendojmë se do t’i ndihmonte të dyja këto vende të realizojnë potencialin e tyre të plotë.

A keni diçka tjetër për të shtuar?

Derek Chollet: Mezi pres të kthehem në Kosovë. Vizita ime e fundit atje, ka qenë me ambasadorin Holbrooke shumë vite më parë. Mezi pres të shoh miqtë dhe kolegët e mi atje dhe të bisedoj përsëri me presidenten dhe kryeministrin.