E diela e 7 poezive dhe 7 poeteve:Bruna MUSAI 

MË KE MUNGUAR

—————————————–

Nëse të mjafton të them, se më ke munguar

Gëzoju këtij fakti, se akoma jam gjallë,

Kujtimet për ty, kurrë s’u vjetërsuan

Por mbetën të freskëta, të zhytura në mall.

Nëse do ta dish, sa shumë më ke munguar

Më mungon sa ajri, që çdo ditë marr frymë,

Më mungon sa shiu, thatësirën për ta shuar

Më mungon sa Dielli, që ngroh në çdo stinë.

Nëse do më pyesje, a me ke munguar

Do ta lija pyetjen, pa asnjë përgjigje,

Ta dëgjojë zemrën, që rrahjet s’iu shuan

E ta ndieje shpirtin, e mbushur plot dhimbje.

Nëse do besoje, se s’më ke munguar

Do besoje në jetë, të vetmen marrëzi,

Në shikimin e thellë, ca lot kurrë s’u shuan

E një mall i fshehur, që i strukur rri.

Bruna Musai