E diela e 7 poezive dhe 7 poetëve:Gëzim AJGERAJ 

POEMA PËR ATA

————————————–

(Poemë)

Kushtuar Sadedin Hasanit, Afrim (Hajredin) Hasanit,
Bedrush (Sadedin) Hasanit dhe Ylber (Sadedin) Hasanit,
që luftuan heroikisht në betejën e Celinës, më 25 mars 1999.

1.

A jetohet me terrin e robërisë
nën dhunën e pa fre t’barbarit
trollit t’gjyshit e katragjyshit

përpjekjes për t’na e shuar farën
a durohet kjo etje mizore

a durohet korba e zezë
kah na nxinë çdo ditë qiellin e Atdheut
e ndalë diellin zogjëve të shqiponjës

E po gjysh e stërgjysh na i lanë me gjak
po lëshuar s’i kanë trojet
qëndruar besa po

2.
Dhe gjithçka nisi nga e para
ndezi si shkëndijë e u përhap me dritën
Kushtrimi hapi portat e Atdheut

Krismat u shtuan maleve
e kështu lindën shkëndijat e shpresës
Rreshtave që po shtoheshin çdo ditë

Gjithçka nis me kushtrimin e Ademit
Trimi i atdheut e hodhi pritjen nga kullat
dhe përtej tyre vuri pritat e përballjes me armiqtë

Rreth vetes i mblodhi trimat
djemtë e gjakut dhe t’fisit
Dhe kështu krijoi hallkën e parë të zinxhirit
që do të përballej me armikun

3.
Shumë netë pa gjumë e ditë pa dritë
baca i pushkës i shkriu pritës
Te plepat e Celinës ku kalonin djemtë e Atdheut

Vajtje – ardhjeve të tyre u hapi udhë
e portave të hapura në kullë u dha strehë
Që buka të mos shterrej maleve

Edhe aty ku mungoi baroti për pushkët e maleve
kullat e tij ishin depo të shpresës
Që krismat të mos ndaleshin

4
Se mishërimi me luftën
Ish trashëgimi ndër breza
Ndaj porosisë së të parëve i ruaj amanetin

Se këtej s’mund të kalojnë vojvodët e carët
As kolonat e krajlave gjakatarë
se kockat do t’ua djegim te plepat
me flakët e pushkëve

Le ta dijnë njëherë e përgjithmonë
se ata që shkelin mbi këtë truall
këtu do t’i lënë edhe kokat

5
Dhe gjithçka filloi si në legjenda
Kullat u bënë mburoja
E fushat i mbuloi flaka

Baca i pushkës ndezi zjarrin e qëndresës në kullë
dhe midis shënjestre kryqëzoi kokat e korbave
Që sorrëshkinat të mbyten në zi

Mbanë krahun flakë e pushkës së Afrimit
Armiqtë tek shënjon me rrafale
heu t’paça axha se bukur m’i palos armiqtë

Nga dy skajet e rrethojave mes kullave
si dy sokola hedhin zjarr mbi armikun
Ylberi e Bedrushi pa u ndalë
Zjarr, trimat e babit

Katër gryka zjarri përballë qindra armiqsh
S’jepen për të gjallë

6.
Oborret e kullave shtrohen në gëzhoja
Pushkë e Sadedinit s’di të ndalet
tek palos një nga një hijet e korbave

Dhe tani edhe nëse vdes gjakun mos ma qani
edhe nëse ju dhemb shpirti
dhjetëfish ia kam shpaguar korbave t’Karpateve

Dhe tani kur ka rënë këmbana
e orës sonë për lamtumirë
mos na i vajtoni plagët e mia
As të Afrimit, Bedrushit e …

Kullat tona kurrë nuk kanë vajtuar
Ndaj gjithmonë kanë qenë nderi dhe
krenaria e Atdheut

7
Lum kullat që ju rritën – lum atdheu
për militantët e vet

grykë për grykë me armiqtë
se kush vdekjen do ta bëjë më bukur
në altarin e pavdekshëm të lavdisë

8.

Ata s’u përkulën pëballë gjëmimit të tankeve
As rrafalet e blindave s’i përkulën
Tek i shtruan oborret e kullave me gëzhoja

ata s’i përkuli as gjëmimi i tokës që digjej nën këmbë
As flakët e kullave tek kërcisnin dhembjes
Se shpresa e lirisë që po afronte
ia ndizte guximin

8

Dhe ditën kur fushave të Kosovës
do t’i korrim dëshirat e ëndrrave të mbjella nga ju
me lulëkuqe do t’i qëndisim kurorat e lavdisë
e t’i vendosim mbi emrat tuaj të shndërruar në yje
dhe me shkëlqimin e tyre
do t’i ndriçojmë lirisë së atdheut

Celinë, 2017