E diela e 7 poezive dhe 7 poeteve;Suzana ALIMANI
SA TË JEM GJALLË…
Ma mbush një gotë, ta shtyjë tradhtinë
edhe të falë, oh veç tē falë,
njëra pas tjetrës t’i gëlltisë dhimbjet
sa të jem gjallë, oh në jam gjallë
Në tavolinë ulu me mua
i miri Krisht më shtjerë ca verë
dhe lotët fshimi e jepmë forca
të ngrihem prapë, të fundmit herë.
Më jep dy gota, ta mbyt tradhtinë
njërën me verë në pifsha dot
tjetrën kristali o prej floriri
të zbraz marazet, ta mbush përplot.
Dhe helmin ta gëlltisë pa frikë
se kush besoi, oh u ringjallë,
shtjermë pak verë si gjaku yt
le të dalldisem, u bëfsha valë.
E kush pas shpine ma nguli thikën
frikë mos pastë, mos pastë frikë
skutave fshehur mos rrijë si hije
hakë s’do marrë, mos qofsh i ligë
Por, po më doli përpara syve
ma fal trishtimin, o At, më fal
ndoshta ul kokën, nën zë do lutem,
një tjetër gotë do t’kthejë ngadalë.
Do ta bëj shokë serishmi dhimbjen
e faljen prapë, oh do t’thërrasë
sa gllënjka-gllënjka ta dërgojë poshtë
e dalë nga dalë , oh të rrëshqasë.
Ma mbush një gotë, ta shtyjë tradhtinë
edhe të falë, oh veç të falë
njëra pas tjetrës t’i gëlltis dhimbjet
sa të jem gjallë, në qënça gjallë…