E diela me poeten: KALTRINA PACOLLI -Unë, kufoma e ardhshme
Unë, kufoma e ardhshme
Vrajëm,
po vrajëm nëse nuk t’kom pshty n’ftyrë
e s’t’i kom numru t’kqijat
tu t’sha e tu t’mallku!
Vrajëm,
nëse sa herë ke dasht me m’maltretu
unë t’kom duru.
Vrajëm nëse t’kom msu
me m’fol qysh ke dashtë,
vrajëm,
ço dorë n’mu
veç pse jom gru.
Po,
qitmi flokt n’tokë
e lem sheja n’trup e n’ftyrë
nëse s’t’kom thanë që
je farë e ndyrë,
nëse s’t’kom nal me t’thanë
kqyru n’pasqyrë,
nëse gjen me kqyr naj ftyrë!
Po,
shajëm edhe para fmive t’mi,
shajëm edhe n’rrugë
edhe para njerzve tjerë,
kërkush s’ka me thon kurrgjo,
besa kanë me të arsyetu
se nëse unë n’sy t’tyne kom duru
ti je tu bo çka unë “kom meritu”!!
Po, po vrajëm,
shkrep alltinë
bash n’zemrën tem,
mbi 100 thyrje t’saj,
1 plumb kurrgjo nuk dhem,
sa dhamin k’to net me zhurma t’mdhaja.
Vrajëm,
vrajëm nëse s’t’kom shty
kur me zor ke dasht me m’prek,
e me m’desh,
e tanën me m’pasë,
vrajëm nëse t’kom lanë
vrajëm nëse kom thanë nasht’!
Le t’jem kufomë,
nëse kom heshtë,
nëse t’kom dashtë edhe kur s’m’ke dashtë,
nëse t’kom kesh masi m’ke maltretu e poshtru,
le t’jem kufomë veç pse jom gru.
E ti vrajëm,
se i paqt del,
kërkush me gisht kah ti nuk bon,
kërkush fajtor nuk e len t’gjallin,
se i vrami ka gjithë diçka që e “meriton”,
se i vrami s’e ka problem nëse e kallin,
që vrasësit si ti me e marrë malin.
E vrajëm,
si plot e plot që u vranë
si plot e plot që u shanë,
si plot e plot që kufoma ranë
si për plot që kurrgjo nuk thanë!