E diela me poetin:Syhejl HAVOLLI

0

MBRËMJE DIMRI NË QYTETIN TIM

————————————————

Herë mengadale

Dhe herë me rrëmbim

Bora si një veshtull

Mbështjell qytetin tim

Në rrugën e lagjes

Në shpatin përbri

Rrëshqasin buzëqeshjet

Me saja e me ski

Dhe në udhëkryqet

Që kanë dritë të verdhë

Një dorë e madhe shumë

Borën dyllë e derdh…

Këto tufa bore:

Të bardha, kuq e të verdha

Përdridhen si fluturat

Që i sjell pranvera…

Flokët e çupëzës

Me fjolla stolisur

Ngjajnë me një punëdore

Për merak qëndisur…

26.12.2020

PREJ MALLIT TË MADH

SI YJE U SHIKUAN

——————————-

Hapma derën

Kush je o burrë

Që thellë më vështron

Më thuaj çfarë të mundon

Nuk jam lugat

Të ta ha zemrën

Jam Engjëlli

I shpirtit tënd

I buzëve tua shkrumb

Në këto orë të vona

Nata është e qetë

Ti nuk je Engjëlli im

Tash e sa vjet

Jam e harruar

Jam e vetmuar

Prej mallit të madh

Si yje u shikuan

4 janar 2021

MOS TROKIT NË DRITARE

———————————–

Po pse moj

Muzë

Kaq shpejt

Më paske harruar

Kur ti fort mirë e di

Që zemrën ta kam sunduar

Nëse vjen

Mos trokit në dritare

Tashmë të mjegulluar

Do t’i shohësh dy zemra

Mbi krahët e këngës sime

Plot mall e dashuri

Ti erdhe sa mrekulli

Ma bëre shpirtin më të ri.

9 janar 2021

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *