E mërkura poetike me poeten:Trandafile MOLLA

E madhërishmja përmendore

————————————————

E mora përsëri veprën në dorë,

rilexoj dhe njëherë romanin “Nëna”,

me vargun lotët e nxehtë bënë kurorë,

me sytë e saj të trishtë vajtoi dhe hëna.

Kurorë të artë, por mirë nuk e kuptova

për Maksim Gorkin a për vetë hënën,

mora hov drejt qiellit të hapur, fluturoja,

t’a rrëmbeja nga kryet e gjeniut për Nënën.

Nuk e di pse hëna m’u duk kaq e zbehtë,

ashtu pa shpirt, pa jetë e asnjë pikë gjak

mos vallë aty ishte Nëna, heroina vetë

që birit i foli dhe kur ai u rrëzua në prag?

Ai u rrëzua me zemrën e saj në duar,

që e vrau ai vetë, pa mëshirë, si katil

por prapë psherëtima thellë, përmalluar:

-Oh kujdes, mos m’u vrave more birë?!

U vrave bir, e mjera unë, më raftë pika,

çohu të jap loçka dorën, në gji mbështetur

por biri vdiq në vend, i tmerruar nga frika

sonte nëna me vdekjen është përpjekur.

Bir, mos u vrave shpirt, të pastë nëna

atë mbrëmje retë e zeza derdhën vaj,

shkrimtar, në shekuj të lartësohet fama

mbetesh simbol i kolanës, nga emri i saj.

Ah, moj nënë, sa herë vritemi, thërrasim

kur jemi sëmurë psherëtijmë, ku je nënë

për ty nuk ka vdekje, s’duhet të të humbasim

ti je diell i artë dhe kur nata nuk ka hënë!

Për nënën të gjithë në jetë janë përlot,

është më e madhërishmja përmendore,

ajo që vetëm lind dritë e fal jetë në botë,

me vargun tim pagëzova këtë kurorë.

/www.QendraPress.com/