E mërkura poetike me poetin:-Kastriot FETAHU

LETËR NGA BOSTONI
—————————————
Miqtë e mi,
ju shkruaj nga bregu i Atlantikut.
Arratisur premtimeve boshe
dhe një të ardhmeje pa kthesën në rrugën e përshkuar.
Shpresa, ah, shpresa,
në ngjyrën e kockave të thara nga koha e gjatë.
Ndonjëherë qesh,
qesh të shtyp brengën e vendimit të gabuar
aq sa edhe të drejtë.
Koha e barsoletave qeveritare mbaroi,
kutia e premtimeve në trurin tonë u mbush,
ndërkohë ekzekutorët e vjetër kafshojnë ëndrrat e reja.
Pezmatimi si një re mbi mal,
kur shkruhen e lexohen fjalime resortesh,
nga papagaj që imitojnë tingujt e Perëndimit.
Sot “Shqipëria nuk është e shqiptarëve”,
sepse nuk e ndjeva dorën e atdheut mbi supe,
i asfiksuar nga monoksidi i karbonit të importit.
E kaluara, e tashmja dhe e ardhmja,
skeletet e të njëjtave fjalime,
ndaj ika, se në parajsën me dyer të hapura
rrëshqasin hija dhe vetvetja.
Zëri i spikerit të një stacioni televiziv,
një britmë për t’u kthyer.
Miqtë e mi, të paarratisur,
picërroj sytë kur ndiej zjarrin e lulëkuqeve,
dhe ju shikoj
tek thyeni unazën e hekurt në perandorinë e frikës.
/QendraPress/