E mërkura poetike me poetin;-Zhaneta BARXHAJ
Presin të rilindin
——————————
Mjegullës së thyer, fluturojnë çika breshëri,
ndezin qiellin, si gur stralli.
Atje tek shqyhen erërat,
me thonjtë në gurmazin e njëra- tjetrës.
thëllimi akullon zemrat.
Shpellës së braktisur, jetojnë fantazmat,
rrahin e farkëtojnë hekurin, gati për t’u kthyer.
Maja shkopinjsh,
ngulen mbi trupin e kohës së plogësht,
që duan ta vdesin.
Me brohoritje e kukama,
rrahje gjoksesh e britma,
presin të rilindin, presin të rikthehen,
me mjegullën që ndez strallin.
Zh.B
/www.qendrapress.com/