Ekskluzive: Politika amerikane e brengosur me zhvillimet në Gjykatën Speciale –Nga Berat BUZHALA
Lëvizjet e para serioze politike kundër praktikave të përdorura nga Gjykata Speciale në rastin e Hashim Thaçit dhe liderëve tjerë të UÇK-së tashmë kanë filluar. Bëhet fjalë për lëvizje nga politika amerikane – kampi demokrat dhe ai republikan – që kanë shprehur brengë në lidhje me zhvillimet e fundit shqetësuese për shkeljen e të drejtave të të burgosurve.
Edhe pak muaj bëhen 2 vjet prej ditës kur janë arrestuar dhe paraburgosur disa prej figurave më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë këtu ish kryeministrin dhe ish presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin.
Mënyra se si ky Tribunal është duke operuar ka filluar të irritojë shumë njerëz në Kosovë, përfshirë edhe kundërshtarët politik të Hashim Thaçit, si kryeministri aktual Albin Kurti, që para disa kohësh patën shkruar “Shko Hashim”, e që ishte fjala për shkuarjen e tij drejt Hagës.
Mbajtja në paraburgim kaq e gjatë e tyre, në kundërshtim me praktikat e mira ndërkombëtare, në kundërshtim edhe me gjyqin e Hagës për ish Jugosllavinë, ka bërë që në muajt e fundit të aktivizohet shoqëria kosovare, duke kërkuar prej Tribunalit që të mos harrojë se ku është themeluar dhe kujt i jep llogari.
Vizita në Hagë e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, bëri që gjërat të lëvizin edhe në Kosovë, ku pas tij komandantët e UÇK-së i vizitoi kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e tash së voni edhe Zv. Kryeministri Besnik Bislimi.
Ndërkohë që më 16 korrik, Kuvendi i Shqipërisë ka propozuar një Projekt-Rezolutë që denoncon akuzat e bëra nga Dick Marty në drejtim të liderëve të UÇK-së. Kjo lëvizje mund të jetë në sinkron me atë të politikës amerikane.
Kurse, sa i përket vizitave joinstitucionale, ajo çfarë po ndodhë ka marrë përmasa të një pelegrinazhi. Pjesëtarë të mediave, të shoqërisë civile, të estradës i janë turrur burgut në Hagë, për t’i takuar udhëheqësit e shtetit dhe të luftës.
Sido që të jetë, e gjithë kjo do të ishte një gjë e kotë, sikur të mos ndizeshin edhe motorët e diplomacisë së shteteve më të fuqishme në botë.
Nacionale ka kuptuar që stërzgjatja e procesit, trajtimi i pashembullt i të paraburgosurëve, duke i mbajtur në burg pa justifikim bindës, ka filluar t’i shqetësojë disa figura të rëndësishme në politikën amerikane.“Nuk ka kuptim që ky Tribunal të mos e lë asnjë rrugë çelë për t’u mbrojtur në liri personat që gjenden aty,”- ka thënë një burim i mirëinformuar.
Sipas këtij burimi, figura të rëndësishme të politikës amerikane kanë filluar të bëjnë pyetje të rëndësishme për këtë proces.
“Tribunali është i pavarur, por nuk është i shkëputur nga çdo gjë. Si duket operimi i tij në Hagë ka krijuar përshtypje të gabueshme të njerëzit që punojnë aty,” – tha ky burim.
Tribunali deri më tash ka funksionuar si një ishull i shkëputur. Brenda tij ekzistojnë shkalla e para, apeli, ombudspersoni, Gjykata Kushtetuese. Çdo ankesë niset e soset brenda atyre mureve. Ka dyshime të bazuara që prokuroria dhe gjykata nuk po arrijnë ta krijojnë ndarjen e nevojshme në mes tyre. Gjykata është shumë më miqësore me prokurorinë se sa me palën mbrojtëse, gjë që nuk do të duhej të ishte kështu.
Burimi me të cilin ka biseduar Nacionale ka thënë që politikanët e shqetësuar me këtë proces i takojnë të dyja kampeve, edhe republikanëve edhe demokratëve.
“Ata nuk kërkojnë që të ndikohet në proces, mirëpo gjithashtu nuk janë të kënaqur që ndaj këtyre njerëzve që gjenden aty të zhvillohet një proces i padrejtë dhe persekutues. Nuk ka asnjë arsye që atyre të mos u mundësohet mbrojtja në liri, posaçërisht kur po paralajmërohet që gjykimi do të zgjas me vite të tëra,” – tha burimi.
Drejtësi / Buxhet marramendës – për shtatë vjet Gjykata Speciale shpenzoi 275 milionë euro
Raportet e Thaçit me amerikanët – gjatë gjithë kohës kur ai e ka udhëhequr vendin – kanë qënë shembullore. Presidenti aktual amerikan madje kishte bërë bujë jo vetëm në Kosovë kur e kishte quajtur edhe “George Washingtoni i Kosovës” (George Washington konsideron si një ndër etërit themeltarë të Amerikës), në kohën kur ka qënë Zëvendëspresident i Amerikës. Për shumëkë ishte e çuditshme se si Thaçi u braktis nga amerikanët, tash kur ka më së shumti nevojë. “Në Amerikë po presin që ky proces të ndryshojë, të mos vazhdohet kjo qasje e gabuar. Ata të gjithë edhe më tutje janë të pafajshëm,” ka thënë burimi.
Në anën tjetër garancione për Thacin dhe të tjerët, nëse do të liroheshin për t’u mbrojtur në liri, kanë dhënë disa shtete, përfshirë edhe shtete sponsorizuese të këtij Tribunali.