Fillimi i vitit të ri shkollor, Policia e Kosovës apelon për siguri të shtuar pranë shkollave

Sot, fillon zyrtarisht viti i ri shkollor 2024/2025 në tërë Kosovën. Me këtë rast Policia e Kosovës ka apeluar për kujdes të shtuar tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik.

Përmes një njoftimi, PK ka apeluar tek shoferët që të ngadalësojnë shpejtësinë e lëvizjes gjatë ngasjes së mjetit në zonën e shkollës.

“Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, Policia e Kosovës apelon për një përgjegjësi të shtuar nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik. Në zonat pranë shkollave dhe ku janë vendosur tabelat njoftuese si “Kujdes, shkolla” dhe “Këmbësorë,” është jetike që të gjithë të tregojnë kujdes maksimal. Fëmijët janë më të brishtë dhe të paparashikueshëm në lëvizje, kështu që shpejtësia e ulët, vëmendja e lartë dhe respektimi i sinjalistikës rrugore mund të shpëtojë jetë”, thuhet në njoftim.