Fitorja e Trump në SHBA dhe çoroditja e argatëve të Serbisë në pushtet në Kosovë-Shkruan:Lumni LUSHAJ
Argatët e Serbisë në pushtet, pas fitores së republikanëve në SHBA, po e shohin fundin e tyre. Dëshpërimin po përpiqen ta fshehin pas zhurmës mediale propagandistike, që tenton të ringjallë idenë e “shkëmbimit të territoreve,” duke e lidhur këtë me ardhjen e administratës Trump në SHBA. Një plan të tillë, e pranuan pikërisht kasta politike kuislinge Kurti, që po tentonin ta realizonin përmes Planit franko-gjerman, veçanërisht pikës 7 të tij për “vetë-menaxhimin” dhe statusin e eksteritorialitetit të objekteve religjioze, si dhe Statutit të “Zajednicës” që jep autonomi territoriale e politike për komunat me shumicë serbe. Por kjo marrëveshje tashmë është në rrezik, pasi administrata e parë e Presidentit Trump ua kishte bërë të qartë se asnjë projekt që cënon integritetin territorial dhe politik të Kosovës nuk mbështetet nga Departamenti i Shtetit të SHBA-së, dhe këtë e përsëriti edhe Komisionerja e re për Zgjerimin e BE-së. Ne, që luftuam dhe realizuam Kosovën e lirë, të pavarur dhe sovrane, mbetemi gardianë të këtij shteti dhe po ua përsëritim se nuk do të lejojmë asnjë përpjekje për cënimin e integritetit të tij territorial dhe politik. E gjithë kjo zhurmë rreth idesë për “shkëmbimin e territoreve” bëhet me qëllim për të nxitur krijimin e ngutshëm të “Zajednicës” si një formë autonomie territoriale-politike, sipas statutit të BE-së, të cilin qeveria aktuale dhe Albin Kurti tashmë e kanë pranuar. Kjo lëvizje për të krijuar tensione dhe për të ngritur frikën se, pas ndryshimit të administratës amerikane, mund të ringjallet ideja për “ndërrim territoresh,” bëhet me qëllim të krijimit të një preteksti për të implementuar marrëveshjet antikushtetuese të vitit 2023, që rrezikojnë humbjen e sovranitetit politik mbi më shumë se një të tretën e territorit të Kosovës. Këtë situatë hipotetikisht e kam paralajmëruar prej kohësh: “Nëse Trump fiton, Albin Kurti, në koordinim me Lajçakun — i cili nuk është rastësi që ka mbetur në detyrë deri në janar — do të krijojnë një ambient të tensionuar për t’i zbatuar me ngut këto marrëveshje para pranimit të detyrës nga Presidenti Trump.” Nuk është rastësi që aleatët e Kurtit në Evropë po kërkojnë me ngulm implementimin e kësaj marrëveshjeje, duke qenë të vetëdijshëm se ajo është tradhti ndaj interesave nacionale dhe kushtetuese të vendit. Në të kundërt, zvarritja e implementimit të këtyre marrëveshjeve, me deklarata “patriotike” patetike dhe sikur gjoja nuk do t’i zbatojmë detyrimet që kanë pranuar me marrëveshje, është vetëm një taktikë për të ndërtuar një imazh të rremë patriotizmi. Për këtë përpjekje, të rritjes së prestigjit patriotik, Kurtit madje i ndihmoi edhe përfaqësuesi serb, Gjuriq, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Krejt kjo u bë me qëllim që ta mbajnë në pushtet dhe pas zgjedhjeve të shkurtit 2025, pasi u duhen për të realizuar tradhtinë që po i bëjnë vendit përmes marrëveshjeve të këqija që kanë nënshkruar./www.QendraPress.com/