Fryma e së dielës me poeten;-Ganimete JAKUPI

NË VENDIN TIM…

———————————-

Në vendin tim ndodhin shumë çudira,

Sa në fije nuk i bjen,

Cila është e keqja e cila e mira!

Ai që ka vlera shpesh nënçmohet,

E ai dallavergjiu në qiell çohet,

Pa meritokraci mbret bëhet.

Në vendin tim ka shumë katrahuzë,

Cili të mundet tjetrin e përbuzë,

Për bajraktarizëm lufton çdokush.

Në vendin tim shpesh e vërteta lakohet,

Sipas interesit fjala shpesh ndërrohet,

E drejtësia shumë shpejt harrohet.

Në vendin tim, kush hesht më pak gjykohet,

Kush flet drejt shpesh largohet,

E kush serviloset veç lartësohet.

Në vendin tim kujtesa bëhet sipas nevojës,

E vërteta lakohet sipas kohës,

Dhe historia nganjëherë shkruhet sipas zërit të forcës.

Në vendin tim premtohet shumë e bëhet pak,

I thurim lavde vetes në çdo hap,

Kush nuk na njeh fort, lakmi na ka.

Në vendin tim pushtetet vijnë e e shkojnë,

Por etja për to kurrë nuk pushon,

Dhe harrojnë se një ditë gjithçka mbaron.

Në vendin tim kush të mundet tjetrin e etiketon,

Besa edhe të gjitha të mirat ia mohon,

Suksesin asesi s’ia pranon.

Në vendin tim nuk di a mbet ndonjë njeri i mirë?!

Se për së gjalli të groposin,

E veç kur të vdesësh, në piedestal të lartësojnë.