Fryma poetike e së dielës me poeten: Arjana Fetahu GABA

Qyteti im i huaj

———————————-

Eci qytetit tim i heshtur kuturu,

Unë, që rrugëve kaloja gjithmonë duke qeshur,

Gjithë fytyrat që njihja, janë zhdukur s’di se ku,

Tani jam i huaj, e ndihem përqeshur.

Kafeja, ku nisja ditën time të re gjithë gëzim,

Humbur pa gjurmë, sikur e hëngri gogoli,

Dhe rruga s’ka më emrin që e dija përmendësh,

Në dy orë vërdallë, asnjë nuk më foli.

As vajzën që dikur doja si i marrë, nuk e pash,

Kisha ëndërruar atë dite, sesi mund të ishte,

Mallkova me një gojë të fëlliqur të dashurin qytet,

Mallkova mërgimin, nga kishte e ç’kishte.

I huaj tashmë, për t’u ardhur keq,

Vallë si humbi çdo gjë që doja aq shumë,

Veç diellit që lind e hënës në këtë qytet,

Të gjitha më janë hedhur në lumë.

Pallati ku linda, tjetërsuar sa dot nuk njoha,

“Ja ku e ke”,me gisht ma treguan,

Përballë meje qëndronte gjigand,

Por mua ca lot më shpëtuan.

Si kthehet njeriu kaq I dobët, dhe pa fuqi,

Mërgimi mbet plagë që ende përcëllon,

Më mirë mos qofsh kur humbet dashuri,

Sepse që kthehesh i huaj asgjë se ndryshon.

Mua që me dukej, sikur qyteti ish i gjithi imi,

Fatkeqësisht, më tregoi sesa shumë më kishte harruar!!

/www.QendraPress.com/