Fryma poetike e së dielës me poeten :-Barie ÇUPI

LIBRI JE TI…

—————————-

Librit i linda në duar,

të qarat e të qeshurat e mia i mbushën krahët,

u rrita shtrirë faqesh në gjoksin e tij,

më deshti, siç dielli tokës i ngroh damarët.

Libër je ti…

natyrë e lehtë je,

forcë e mendjes që guxon,mban,

unë u rrita e u përkunda momentesh tua ëmbël,

pështjellim gërmash të arta,që ngrohin si jorgan.

Librit i linda në prehër,

më ushqeu fjalësh qumështore,

dhe freskia e mëngjeseve të mia iu bë mike e zemrës,

u rritëm duke gdhendur ditën në faqet e sheshta,

se lamë njëri-tjetrin në sirtarin e harresës.

Libri je ti…

telajo e ëndrrave të mia,

që më zhyt të zgjedh ngjyrat

e të pastroj ndryshkun e kohës,

myshkun e rrugëve zënë cepash nga lotët,

kërmat e gjalla dalë nga kutia e Pandorës.

Je ti libri…

smeraldi je,

që bashkë u puthëm buzëqeshur

me shpirtin e lirë,

me krahët tejzgjatur përtej universit,

shtrirë pëllëmbësh po të mbaj

gjersa duart t’më jenë mpirë.

Krijesë e lartë ,e zgjuar,

nevoja e dritës kërkon ty,

të luftosh më marrëzitë e kësaj bote

të vetëkënaqur,

të udhëhequr errësirash në blasfemi,

duke u rrotulluar bukur sferash,

refleksi i jetës në fuqinë tënde transparente,

ka emrin libër…pasuri

/www.qendrapress.com/