Fryma poetike e së dielës me poeten;-Manushaqe Hoxha LAÇI
Eja rri me mua!
—————————–
Eja hyjneshë çdo mëngjes
mos na ngelet kafja pa pirë.
Sillmë gjelbërim me vesë
ma bëj jetën këngë të dlirë.
Zgjohem herët, ulem te pragu
pres kurorën me buzëqeshje.
M’dridhet zemra, m’vlon gjaku
kur të shoh moj mollë vjeshte.
Nën qerpikët e zinj të gjatë
mbijnë e çelin luleshqerra.
Eja pëllumbeshë gojëmjaltë
krahëhapur të pres te dera.
Më dhuron nxehtësi dielli
sa m’hedh shikimin, luleborë.
Kur hap krahët si zgalemi
të qesh sy e të qesh dorë.
Kur vjen si zogëz e qiellit
e princëruar në një çerdhe.
Ma sjell madhështinë e detit
parfumuar me lule pranvere.
Kur më vjen si erë malesh
nëpër shtigje të pashkelur.
Herë më dukesh sorkadhe
herë mjaltë hojesh i patretur.
Vjen drejt meje si kapitene
i çan detet me këngë malli.
Sjell kaltërsi nga dritë zemre
më sjell verën mes një flladi.
Kur më flet bëhesh ujëvarë
ledhaton me fllad pranvere.
Në çdo stinë më sjell beharë
me qershi, rrush e manaferre.
Prekmë e më mbush magji
prushomë ëndrrën te gjumi.
Të shikojë hëna me xhelozi
pritjes së gjatë t’i vijë fundi.
Hidhmë moj zjarrin e buzës
bubulak…të ndezur flakë..!
Të digjemi brenda shpuzës
si drutë e thatë në oxhak…!