Fryma poetike e së dielës me poeten:-Seti Pezaku VLADI

DASHURIA IME
———————–
Ngazëllimi i syrit
Më i madh se fusha e fluturimit.
Si diamante vallëzojnë pikat e shiut në ikje,
Poshtë neneve.
Mbrëmja, me një copëz hëne në dorë
Zbret shkallët,
Ndez kandile yjesh në qiellin e lagur.
Trokasin hapat
Mbi asfaltin e përmalluar.
Eci me dashurinë time
Veshur me këngë gjethesh,
Vaditur me gurgullima krojesh,
Pranverën kurorë mbi kokë,
Vjeshtën gjerdan portokallesh.
Dashuria ime ndez yjet e netëve,
Bëhet rreze dielli,
Zgjon mëngjeset,
Ngroh rrënjë e degë. /QendraPress