Fryma poetike e së dielës me poeten;Imer HYSA
IKIN VITET
——————-
-në përvjetorin tim të lindjes-
Nëse vitet që kalova do i thirrja në rresht
Shumica prej tyre më binden
Edhe ata me të cilët s’u mora vesht
As ata nga frika nuk më fshihen.
Pata vite të arta, të qeta, të lumtura
Mes dashurisë veten ndjeja mbret
Siç pata vite pothuajse të humbura
Të tjerë, që jo rrallë më vunē nē siklet.
Shumicës së viteve u bëra rreshtore
Vetë i drejtova si desha, majtas, djathtas
Siç pata vite si zhgarravina në fletore
Që të revoltuar më dilnin haptas.
Pata vite të lulëzuara si pemët në prill
Siç pata shumë vite plot fruta vjeshte
Pata vite që ngelën memecë për çudi
Që su dhashë frymë, i lashë në heshtje.
Kalova vite pse jo, të acarta
Jo nga moti, nga njerëz pa zemër
Që s’ma linin vrapin, suleshin me të katra
Në mos kokën, të më thyenin këmbën.
Ikin vitet, nuk u’a marr merak
Vetë i jetova, qetë dhe çmendurisht
Ndjesë për vitet që u hyra në hak
Respekt për vitet që kalova lumturisht.
.
. .
Vitet e mija ngjajnë me pemët
Shumica krijuan bazën te rrënjët,
Të tjerë me lodhje e mund
U lartësuan krenarë në trung.
Ca duke menduar për vete
U hapën në formën e degëve,
Të tjerë me prirje për qejfe
Shkëlqyen e ranë si gjethe.
Pata dhe vite të tjerë që s’u dogjën
Por si fruta ngadalë u poqën
Një gjë se di, do kuptoj ndonjëherë
Ishin fruta te ëmbla a të hidhura zeher.,
./www.QendraPress.com/