Fryma poetike e së dielës me poetin;-Imer HYSA

KUR SKUPTOHEMI

———————————

Ata që duhet të kuptojnë më shumë

e që u dhuron më shumë dritë shprese

pikërisht ata si pemë të shkundin me gurë

duke menduar se të vunë nën vete.

Ata që me dritën tënde të shpirtit

u ndriçon rrugën në jetë

pikërisht ata të shuajnë kandilin

duke menduar të vegjetojnë vetë.

Ata që lexojnë veç me gërma kapitale

mbi letra të shkruara me plagjiaturë

pikërisht ata të bëjnë gjëmën e madhe

e shtrijnë një komb për të mos u ngritur kurrë.

Ata që u ndritën nën hije plepash

apo shkëlqyen në “Universitete Kristale”

pikërisht ata përdorën këthetrat

dhe fluturuan në parajsa fiskale.

Ata që duhet, por smunden, janë shumë

ata qëndrojnë të fjetur, në heshtje,

ata mbijetojnë mes dallgëve me shkumë

këput e mos këput si gjethe vjeshte

/QendraPress/